Karakteristikat e Tepelenës

Bashkia Tepelenë kufizohet në veri me bashkinë Memaliaj, në lindje me bashkinë Këlcyrë, në jug me bashkinë Gjirokastër dhe në perëndim me bashkinë Himarë dhe Selenicë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Tepelenës. Në përbërje të kësaj bashkie ndodhen 4 njësi administrative: Tepelenë, Qendër Tepelenë, Lopës dhe Kurvelesh. Tepelena ka një popullsi prej 8,949 banorësh dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 431.24 km2 me një densitet prej 12.1 banorë/km2.

Klima

Kushtet klimaterike të kësaj zone klasifikohen kryesisht në klimën mesdhetare kodrinore – malore. Ndikimi i faktorëve ciklonikë dhe anticiklonik, pozita gjeografike dhe relievi janë disa nga faktorët që luajnë rol të rëndësishëm në zonën e Tepelenës.

Burimet ujore

Ujërat sipërfaqësore përfaqësohen nga ato të lumit Vjosë dhe të degëve të tij (Drino-Bençë-Luftinjë). Ujërat nëntokësore përfaqësohen nga burimet masive karstike si Uji i Ftohtë Tepelenë, Hormova, Lekel, Bença, Gurra në Progonat, Bambulli në Dukaj.

Bimësia e zonës

Flora e zonës përbehet nga bimësi mesdhetare në formën e saj më të thjeshtë. Praktikisht në këtë zonë në vitet e fundit ka shfaqje të florës së ulët, bimësi barishtore spontane të stinës, bimë arash të kultivuara në tokë bujqësore si ushqim për kafshët dhe dru dekorativ dhe frutore. Zona e Tepelenës është i pasur me bimësi, si në lloje ashtu dhe në shtrirje. Në të ndeshen nga brezi i shkurreve, qe shtrihet deri ne lartësinë 600-800 metra, brezi i dushkut 800-1200 metra, pyjet fletëgjere, halore e të përzier dhe deri në kullotat alpine me lartësi mbi 1000 m. Zona për shkak të kushteve të veçanta të regjimit atmosferik, klimaterik gjeologjik është relativisht jo shumë e pasur në bimësi. Flora dhe fauna formojnë një sistem ekologjik tepër kreativ dhe me vlera mjedisore. Bimësia në shtrirjen vertikale është heterogjene duke filluar me bimësi të zonës si shelg i rrallë (Salix) dhe bimësi shkurtore (Vitex Agrus Castus, Murizi), trëndafili i egër (Rosa Canina) bimësi barishtore si gramiore të shumtë grami (Cynodon Dactylon), xunkthi (Juncussp).