Peshtani

Peshtani shtrihet në lindje të Tepelenës,16 km larg qendrës së qytetit, në bregun e majtë të lumit Vjosa, aty ku bashkohet lumi i Zagories me Vjosën. Ai gjendet në qendër të një prej grykave më të mëdha në Ballkan, Grykës së Këlcyrës, 13 km e gjatë, një monument i rrallë natyror dhe fushëbetejë historike që nga koha e Perandorisë Romake, deri në kohën e luftës italo-greke.

Kjo grykë ka një formim shkëmbor shumë të veçantë, ku lumi Vjosa pushon midis dy maleve me një gjerësi maksimumi 1 km dhe me burime kristal që derdhen në Vjosë, duke krijuar ujëvara me një bukuri të rrallë. Gryka gjendet mes vargmaleve Trebeshinë – Dhëmbel – Nemërçkë dhe Shëndëlli – Lunxhëri – Bureto.