Lumi i Vjosës

Një perlë e bukurisë Tepelenase është edhe lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit “të egër” mbase dhe në Evropë. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar, në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Në disa zona shtrati i lumit arrin një gjerësi më shumë se 2 km. Rrugëtimi i saj natyror përfundon në detin Adriatik, në veri të lagunës së Nartës – një nga lagunat më të mëdha dhe ekologjikisht më të pasura në bregdetin shqiptar.

Turizmi rekreativ në Vjosë është gjithnjë në rritje, veçanërisht në vitet e fundit ku kanë filluar të organizohen veprimtari të tilla si rafting, kanotazh, not, etj. Shumë biznese të vogla dhe të reja si kompanitë e eko-turizmit në Vjosë, kanë bazuar ekzistencën e tyre në rrjedhat natyrore të Vjosës. Për më tepër, Vjosa dhe uji i saj kanë dhe vlera kurative. Vjosa shfrytëzohet për turizëm në të katër stinët. Në verë për freskinë dhe bukurinë natyrore ndërsa në dimër për sportet e ujit dhe gjuetinë e peshkut.