Kalaja e Zharrëza
Kjo kala ngrihet në majën e kodrës shkëmbore me të njëjtin emër dhe me lartësi 310 m. Kjo kala i përket periudhës së Antikitetit të Vonë (shek. IV – VI e. sonë) dhe mendohet se mund të jetë një nga fortifikimet e Justinianit I për funksionim ushtarak. Muri ndjek format e relievit të kalasë mbi të cilën është ngritur, duke marrë formën e një elipsi të zgjatur me perimeter 410 m dhe rrethon një sipërfaqe prej 0.8 ha. Muri rrethues është i përforcuar me tre kulla, të cilat ndodhen të vendosura njëra në anën veriore të fortifikimit, njëra në anën verilindore dhe kulla e fundit ndodhet në anën jugore. Dy prej kullave kanë formë katrore, ndërsa kulla në anën jugore ka formë rrethore e cila është edhe më mirë e ruajtur. Hyrja për në kala ndodhet në anën lindore. Përveç elementëve të fortifikimit, në këtë kala është zbuluar edhe një sterë uji në brendësi të saj.