Akuadukti i Ali Pashës

Akuadukti ose ujësjellësi i Bënçës ndodhet mbi lumin e Bënçës rreth 2 km në veri të fshatit me të njëjtin emër. Akuadukti është një vepër hidraulike e shek. 19, e cila ka shërbyer për të çuar ujin në kalanë e Tepelenës. Ky monument është ndërtuar gjatë periudhës së Ali Pashë Tepelenës, ka pësuar një dëmtim të madh si shkak i një tërmeti në vitet ’30 dhe është rindërtuar por jo në formën autentike të tij.

Monumenti është në formën e një ure, e cila përbëhet nga kanali i ujit, këmbët e monumentit dhe ura mbi të cilën janë ngritur disa prej këmbëve të tij, në pjesën ku kalon lumi i Bënçës. Kanali i ujit është ndërtuar me gurë të vegjël dhe beton, mbahet nga 21 këmbë ose kolona, të cilat po ashtu janë ndërtuar me gurë të vegjël të lidhur me llaç. Këto kolona kanë formë katrore dhe janë të lartësive të ndryshme, lartësi të cilën e marrin në varësi të pjerrësisë që merr kanali. Në pjesën ku kalon kanioni i lumit, këmbët e monumentit janë të ngritura mbi një urë. Ura është e ndërtuar me tre harqe. Kanali i ujit është ndërtuar me beton në të cilin kanë vendosur edhe gurë të përmasave të vogla. Ndërsa këmbët e ujësjellësit dhe ura janë ndërtuar me gurë të përmasave mesatare të lidhur me llaç. Kemi edhe përdorimin e harqeve në pjesët ku monumenti afrohet me faqen e maleve.