Kalaja e Leklit

Kalaja e Leklit ngrihet mbi kodrën e quajtur Shën Mëhill në shpatin perëndimor të malit të Golikut. Shumica e sipërfaqes së kodrës është shkëmbore, ka një pendencë të theksuar prej lindjes në perëndim. Nga ky pozicion, Lekli kontrollonte ngushticat që lidhin Ilirinë me Epirin, të njohura në Antikitet me emrin ngushticat e Antigonesë. Kalaja e Leklit mendohet se i ka fillesat në shek. IV p.e.s. Muri rrethues ndjek linja të drejta të ndërtuara ndërmjet shkëmbinjve, apo të mbështetura mbi platformat shkëmbore të rrafshuara për këtë qëllim. Skajet e murit lidhen mirë në shkëmbin natyral.